Flamurtari është në telashe. Veç vendeve të fundit në Kategorinë eParë, vlonjatët janë njoftuar nga FIFA se kanë humbur gjyqin me mesfushorin Kreshnik Nebihi dhe i detyrohen këtij të fundit plot 28 mijë euro. Lojtari ka qenë pjesë e kuqezinjve sezonin e shkuar, teksa pagat e prapambetura kanë bërë që lojtari ta dërgojë çështjen në FIFA.
Tanimë organizmi ndërkombëtar ka vendosur, duke bërë me dije se Flamurtari ka 45 ditë kohë që të paguajë lojtarin ose në të kundërt veç zbritjes së pikëve do duhet të qëndrojë edhe tre sesione merkatoje pa afruar lojtarë.
Financat dhe problemet te vlonjatët shtohen, me klubin që këtë sezon luan në të Parën pas afro 15 vitesh. Nebihi u rikthye sërish në Superligë këtë sezon, teksa prej janarit mbron fanellën e Bylis.