Në ceremoninë pritëse që kryeministri Edi Rama ka organizuar për ambasadorët kuqezi të kthyer nga Franca, në poltronin e fjalëve falenderuese është ngjitur dhe kreu i futbollit shqiptar. Presidenti Duka ka shprehur vlerësimin e tij për të gjithë ata që e mundësuan këtë sukses.
“I nderuar zoti Rama, e nderuar zonja ministre, antarë të kabinetit qeveritarë, të nderuar ish futbollistë dhe të nderuar futbollistë. Sot është një ditë e veçantë, një ditë historike për të gjithë ne. Falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për të ardhur tek kjo ditë. Falenderoj fillimisht zotin e shtëpisë, kryeministrin. E falenderoj për mbështetjen që i ka dhënë ekipit. Ka qenë e domosdoshme dhe një suport shumë i madh. Jam i bindur që pa këtë mbështetje do ta kishim të vështirë ose të pamundur.
Falenderoj ekipin administrativ kombëtar për të gjithë organizimin e bërë. Falenderoj fillimisht kapitenin, zotin Shulku. Një falenderim shumë të madh për mister De Biazin. Për gjithçka ka bërë. Ka tejkaluar kornizat e një trajneri së bashku me stafin e tij teknik. Çuna ju falenderoj nga thellësia e zemrës. Ju na bëtë pjesë të kësaj ëndrre kaq të madhe, të këtyre emocioneve të paharruara. Na dhuruat ditë fantastike dhe emocione të mëdha që prej eleminatoreve, në tre ndeshjet e Europianit ku unë mendoj se meritonim të qëndronim më gjatë. Ju duhet të qëndroni me kokën lart për të kërkuar më tepër emocione në vazhdim, më tepër momente historike. Faleminderit dhe ju duam shumë.
Falenderoj mediat për gjithçka kanë prezantuar në këtë periudhë. Ka qenë një arenë, një skenë ku të gjithë shqiptarët kanë prezantuar vlerat e tyre dhe mediat kanë pasqyruar me korrektësi dhe dashamirësi gjithçka ka ndodhur.
Dua të falenderoj tifozët shqiptar për gjithçka kanë dhënë. Tifozët në stadium, në sheshe të ndryshme, në rrugët e Francës, në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo dhe në qytete të botës. Faleminderit shumë”, është shprehur kreu i futbollit shqiptar.