Ballkani arriti të fitonte për të dytin vit radhas titullin kampion në Superligën e Kosovës. Skuadra e Ilir Dajës arriti të zhvillonte një sezon fantastik, ku pas pjesmarrjes për herë të aprë në grupet e Conference League arriti të ngrinte lart edhe trofeun.
Për këtë sukses të arritur nga ekipi i Suharekës ka bërë që dy skuadra mjaft të njohura të urojnë Ballkanin për titullin.
Milan dhe Dinamo Zagreb kanë dërguar letër urimi , teksa skuadra e ilir Dajës i ka publikuar në rrjetet sociale, duke i falenderuar për mbështetjen.
“Të dashur tifozë,
Kemi kënaqësinë që dy klube me traditë të futbollit evropian, na ka dërguar telegrame urimi, me rastin e triumfit për të dytin vit me radhë, në Superligën e Kosovës në futboll.
Është nder i madh për ne që të përgëzohemi prej njërit nga klubet më të trofeshëm dhe ikonik në botë, AC Milan. Njëkohësisht duke qenë se jemi në prag të ndeshjes së parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve, të marrësh një urim nga gjiganti i dytë për nga titujt në histori të Champions League, është motiv shtesë për secilin prej nesh që të japim gjithçka nga vetja, të paraqitemi sa më denjësisht në Evropë.
Njejtë, me nder e kënaqësi, kemi pranuar telegramin edhe nga klubi që ka shkruar historinë në futbollin e Kroacisë, Dinamo Zagreb. Madje për ne kjo ka një peshë shumë të madhe, jo vetëm për lidhjet tona historike me popullin kroat, por edhe si një klub shembull që punon dhe nxjerrë talentë të jashtëzakonshëm, të cilët pushtojnë klubet më të mëdha në botë.
Faleminderit dhe shumë respekt nga FC BALLKANI”, ka shkruar skuadra nga Suhareka.