Arbnor Fejzullahu tashmë është ccështje për ekipin e Partizanit. Marrëdhënia mes dy palëve vazhdon të jetë e acaruar, ku lojtari nuk pranon të jetë pjesë e ekipit, kurse drejtuesit deklarojnë që kosovari vazhdon të jetë pjesë e tyre. Sipas “Sport Ekspres”, sekretari i përgjithshëm i klubit të kuq ka deklaruar që herën e fundit e mban mend Fejzullahun duke luajtur me topin, por tashmë ai është shndërruar në një top ku të tjerët po luajnë me të. I pyetur për disa detaje më shumë Gerald Burba u shpreh:
“Nuk e di, për këtë gjë duhet të pyesni Fejzullahun. Gjithsesi, nuk e mendoj që prapa gjithë këtyre spekulimeve të qëndrojë vërtetë Fejzullahu. Herën e fundit që e kam parë Fejzullahun ka qenë në rolin e lojtarit që luan me topin dhe e kam të vështirë ta besoj që ai kaq papritur të jetë shndërruar në top që luajnë të tjerët me të. Spekullime të tilla të bëjnë të besosh se burojnë nga individë me interesa të caktuara, në përpjekje për të njollosur emrin e klubit tonë, pikërisht në këto kohë të turbullta për futbollin shqiptar“, tha Burba.
Zyrtari i të kuqve u pyet edhe nëse kanë folur me lojtarin, por deklaroi që përmbajtjet e bisedave me futbollistin nuk mund të jenë objekt gazetash.
FEJZULLAHU – Vetë kosovari ka folur në lidhje me këtë çështje. “Nuk kam dërguar diçka në një tjetër shkallë të gjyqit“, u shpreh mbrojtësi. Ndërsa kur u pyet për deklaratat e sekretarit të Partizanit, lojtari vetëm qesh dhe nuk komenton.