Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku dhe politikani i njohur shqiptar Servet Pëllumbi, një prej figurave më të rëndësishme të jetës politike dhe intelektuale në vend pas viteve ’90.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga burime pranë familjes, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Një ndër ata që e ka përjetuar me dhimbje këtë humbje, është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Presidenti Duka e cilëson Pëllumbin si një prej figurave që la gjurmë në jetën politike në vendin tonë. Ndër të tjera, ai thekson kontributin e tij në vitet e para të demokracisë.
POSTIMI:
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, një prej figurave që la gjurmë në jetën politike dhe institucionale të vendit tonë, më ka trishtuar pa masë.
Kontributi i tij në vitet e demokracisë, si deputet dhe Kryetar i Kuvendit, do të kujtohet me respekt, ashtu si edhe roli i tij në formësimin e debatit publik në Shqipëri.
Në këtë moment të vështirë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan si njeri dhe si politikan.
U prehtë në paqe!
