
Igli Tare u emërua drejtor sportiv i Milanit, teksa urimet nuk kanë munguar nga shqiptarë të shumtë, figura të njohura të futbollit, apo edhe politikanë. Pikërisht për këtë situatë, ka reaguar historiani i njohur, Auron Tare, i cili është vëllai i drejtorit të Milanit.
Auron Tare falenderon të gjithë ata që e uruar me sinqeritet për arritjen e të vëllait. Ndërkohë, historiani “thumbon” të gjithë ata që siipas tij kanë bërë reagime hipokrite. Këto të fundit, Tare i quan “hipokrizi shqiptare”.
Postimi i Auron Tares:
Duke Falenderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e Iglit, të Babait dhe të mitë të cilët kanë dërguar mesazhe urimesh dhe mbështetje për një sprovë shumë të madhe që një shqiptar do të ndërmarrë në arenën botërore të Futbollit, më duhet ti them edhe dy fjalë si një njeri që nuk e njeh futbollin dhe atë Italian në vecanti.
Si një shqiptar ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që kanë shkruar që nga Zelanda e Re, Alaska, Kalifornia apo ndonje fshat i thellë këtu në Shqipëri edhe une jam shumë krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierën e tij personale. Suksesi i Iglit duhet të frymëzojë cdo shqiptar që vendos të provojë veten dhe fatin e tij në botën e madhe ku sot jetojmë apo kontribuojmë. Urimet e sinqerta të shumë shqiptarëve i vleresoj shumë si një mbështetje me të vërtetë e sinqertë. Por më duhet të them se sot në mëngjez lexova edhe disa urime thellësisht hipokrite. Shqipëria Futbollistike dhe ajo Politike nuk patën ndonjë deshirë apo vullnet që ish Drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit. Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare please.