Futbolli nuk njeh moshë, është pikërisht thënia që ndjek nga pas historinë e tifozes 86-vjeçare. Në një intervistë të dhënë për “A2 CNN” ajo ka folur për paisionin e saj në lidhje me futbollin dhe veçanërisht Kombëtaren, duke mos kursyer kritikat dhe lavdet.
“E pashë ndeshjen me Serbinë. Aq mirë luajtëm sa jam zënë edhe me djalin në shtëpi. “Do t’i mundi Serbia”, më thoshte. Jo i kam thënë, se kemi cuna të mirë ne, do fitojmë se sbën dhe kështu ndodhi, fituam. Bravo. Kaq shumë emocione kur luan Kombëtarja, aq shumë sa nuk ka ku të shkojë. Kam edhe një stërnip që qan shumë kur nuk fiton Shqipëria dhe u gëzova dhe për të. Andorrën e kemi në xhep tani”, ka thënë 86-vjeçarja.
Ndërsa për pakënaqësitë që ka për kombëtaren tonë ajo i tërheq veshin Sylvinhos, duke u shprehur se “timoinieri” brazilian, nuk i kryen në kohë zëvendësimet. Gjithashtu, ajo ka edhe “dy fjalë” për ish-trajnerin, Gianni De Biasi.
"Sylvinho? Kisha shumë respekt për të, por këto kohët e fundit është zbehur pak. Ai nuk i bën shumë ndërrimet në kohë, lojtarëve duhet t’i japësh hakun. Atë Jasir Asanin se ka futur nja dy herë. De Biasi? Jo, nuk e dua, nuk ishte për trajner. Ne vajtëm në Europian atëherë se mundëm në tavolinë Serbinë, po mos ta mundim atëherë në tavolinë skishim shanse. Derisa të vdes, sportin nuk e lë”, tha 86-vjeçarja.
