Kishte dhënë fjalën dhe bëri të pamundurën për ta mbajtur. Gentian Qejvanaj realizon një nga misionet më të bukura që i vendosi vetes së tij. Me vetëm një biçikletë, ai u nis nga Kina e largët dhe mbërriti në Vlorë ditën e sotme. Një rrugëtim i ‘çmendur’ mbi 30 ditë me më shumë se 7 mijë kilometra të përshkruara nga “fundi i botës” për të mbërritur në vendin e tij.
Ditën e djeshme kaloi pikën kufitare në Qafë-Botë aty ku ndjeu një lehtësim e emocione të mëdha teksa shkeli më në fund në tokën shqiptare pas një udhëtimi të pafundëm mes nga njëri kontinent në tjetrin. Aty e priste krahëhapur i vëllai, Fatjoni, të cilin e takoi me mall dhe më pas vijoi rrugën drejt fshatit Kallarat ku kishin dalë familjarët, të afërm dhe bashkëfshatarë të tij.
Udhëtimi vijoi drejt qendrës së fshatit, në Morrez, aty në sheshin kryesor të Kallaratit aty ku një vit më parë dha fjalën për këtë udhëtim aventuresk, të cilën më në fund e bëri realitet. Fshati gëlonte për ardhjen e birit të tyre, zbukurime, flamuj, parrulla e një banderolë gjigante me foton e tij dhe biçikletën e pandalshme.
Temperaturat e nxehta të verës nuk i penguan aspak bashkëfshatarët, por edhe banorë nga fshatra fqinj dhe qyteti i Vlorës, të dilnin për t’i uruar mirëseardhjen Gentit. Duartrokitje, brohoritje për Gentianin, takime të përzemërta, përqafime, lot e gëzim nga familjarët e tij.
Në fjalën e tij Gentiani falenderoi pjesëmarrësit, familjen, të afërmit, bashkëfshatarët, si dhe kryesinë e Shoqatës Kallarati, për mbështetjen morale dhënë gjatë gjithë udhëtimit, si dhe pritjen mjaft të ngrohtë e mbresëlënëse organizuar në qendër të fshatit. “Shpërblimi im ndaj jush do të jetë ndërmarrja e aventurave të tjera duke i rritur vlerat Kallaratit e Vlorës, në çdo vend të botës ku unë shkel”, u shpreh Gentiani .