
Pesë ditë pas vrasjes së Martin Canit pranë shkollës "Fan Noli" në kryeqytet nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj, policia ka gjetur thikën.
Thika e gjetur dyshohet se ështe përdorur nga Mario Përlleshaj ndërsa policia njofton se është gjetur në zonën e “Rrugës së Elbasanit”, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjithashtu është gjetur edhe çanta e shkollës së 14-vjeçarit.
“Në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen e ndodhur në afërsi të shkollës "Fan Noli", ditën e sotme, në afërsi të ATSh-së, në rrugën "Fadil Rada" është gjetur mjeti prerës (thika) që autori dyshohet se ka përdorur gjatë ngjarjes.” – njoftimi i policisë.
Gjykata e Tiranës, seksioni i të miturve, dha sot (22 nëntor) masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 14-vjeçarin e arrestuar si autor të vrasjes me thikë të Martin Canit, edhe ky vetëm 14 vjeç. Të dy ishin nxënës të shkollës “Fan Noli’ në Tiranë, pak metra larg së cilës 4 ditë më parë ndodhi vrasja.
Gjyqtares Lorena Çabej, prokurores së seksionit për të mitur, Alma Felaj, shoqëruar nga një psikologu iu desh të shkojnë në ambientet e një spitali privat, ku i mituri po merr mjekim për shkak të plagës që ka marrë në dorë, prej ditës kur ndodhi vrasja.
Ai qëndron aty prej 18 Nëntorit, kur akuzohet se qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin Martin Cani, dhe la të plagosur mikun e tij po 14-vjeçar.