Kategoria e Parë e futbollit zhvillon sot javën e 14. Në Lezhë, Besëlidhja pret Korabin, me miqtë nga Peshkopia që kanë hedhur akuza për arbitrin që do gjykojë këtë duel. Në kanalet zyrtare të komunikimit, Korabi tregon se ndeshja do gjykohet nga Laver Alla, me klubin e Kategorisë së Parë që e cilëson si famëkeq.
Korabi bën edhe një historik të problemeve që skuadra ka pasur me këtë arbitër, ndërsa kërkon që skuadrës mos t’i hahet haku.
“Një arbitër i cili masakroi skuadrën e “Korabit” në datë 03.03.2018 duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e takimit KF Besa 2-1 KF Korabi ku u akorduan 7 kartona të verdhë, 2 kartona të kuq, 1 gol offside në favor të Beses dhe 11-metërsh i cili mbylli takimin. Ky arbitër zbriti “Korabin” nga 5 vendet e para dhe hodhi poshtë investimin e një sezoni.”, shkruan Korabi.
Njoftimi i plotë:
Jemi njoftuar që sot takimi do të gjykohet nga “famëkeqi” Laver Alla! Një arbitër i cili masakroi skuadrën e “Korabit” në datë 03.03.2018 duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e takimit KF Besa 2-1 KF Korabi ku u akorduan 7 kartona të verdhë, 2 kartona të kuq, 1 gol offside në favor të Beses dhe 11-metërsh i cili mbylli takimin.
Ky arbitër zbriti “Korabin” nga 5 vendet e para dhe hodhi poshtë investimin e një sezoni. Nuk mund të heshtim përpara takimit, fati i të cilit me shumë mundësi është i paracaktuar! Kërkojmë publikisht të mos na mohohet e drejta dhe gjyqtarët të mos bëhen më faktorë! Të fitojë më i miri…