Tefik Osmani ishte i grumbulluar për ndeshjen Partizani - Tirana, por prej kohësh shtatlarti korçar nuk preferohet titullar nga trajneri Emanuel Egbo. Nuk dihet arsyeja se pse tekniku nigerian ka zgjedhur që të lërë në stol një nga futbollistët më me eksperiencë, megjithatë rezultatet deri më tani i kanë dhënë të drejtë.
Një foto e postuar në rrjetet sociale nga Osmani ka sjellë menjëherë reagimin e drejtorit të Akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani. Ky i fundit i shkruan: "Është humbje për futbollin shqiptar, mos prezenca jote në fushë". Kaq ka mjaftuar dhe përgjigja e Osmanit ka qenë e menjëhershme. "Je ndër të paktët që merr vesh nga futbolli", shkruan shtatlarti.
Duket si një ironi për Emanuel Egbo-në, pasi ky i fundit s'e ka përfshirë si titullar prej kohësh. Ka zgjedhur të mos përmendë emra, megjithatë vendi i parë me 66 pikë, me një këmbë te titulli kampion, tregon që trajneri aktual i Tiranës merr shumë vesh...
