Emocionet e përballjes më të fortë në historinë e futbollit, Messi – Ronaldo, zgjohen sërish teksa është gazetari amerikan Taylor Twellman që propozon idenë për të zhvilluar një ndeshje All-Stars mes kampionatit MLS dhe atij të Arabisë Saudite.
Liga amerikane e futbollit organizon çdo vit ndeshje të këtij tipi dhe të fundit e luajtën ndaj Arsenal, por për sezonin e ardhshëm është hedhur ideja që ekzalton çdo futbolldashës. Gazetari raporton se ideja nuk është thjeshtë dëshirë e tij por një opsion konkret për të dy vendet dhe mund të luhet në stadiumin Rose Bowl që ka një kapacitet prej më shumë se 100 mijë tifozësh.
"E dini se çfarë do të bëja për ndeshjen e ardhshme All-Star? Arabia Saudite kundër All-Stars të MLS, dhe unë do ta vendosja në Rose Bowl Stadium. Do ta vendosja në Rose Bowl dhe do të kisha Messin kundër Ronaldos për herën e fundit.
Është një temë e vërtetë, interesante midis të dy ligave dhe se si ata po e zgjerojnë biznesin e tyre. Messi ndezi MLS-në ‘zjarr’, tani keni lojtarë më të rinj këtu në MLS kundrejt lojtarëve më të vjetër në Arabinë Saudite. Por të dyja ligat janë në radarin e tregut botëror. Unë do të vendosja për çështjen Messi-Ronaldo në dy sekonda", tha ai.