Pavarësisht se humbën në fazën play-off për të siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë, Shkumbini dhe Luzi kanë dhe një mundësi të fundit për të luajtur sezonin e ri në divizionin e dytë të futbollit shqiptar.
Sipas formulës së FSHF-së të përcaktuar një javë më parë, për shkak të rënies së Kamzës në Kategorinë e Dytë, Shkumbini dhe Luzi do të luajnë një finale midis tyre për të caktuar skuadrën që do të marrë pjesë sezonin e ri në Kategorinë e Parë.
“Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, në ineterpretim të rregullores së aktivitetit, dëshiron t’ju informojë në lidhje me skuadrën e cila do të plotësojë numrin e klubeve në Kategorinë e Parë për sezonin 2019-2020.
• Dy ekipet që humbasin ndeshjet play-off do të zhvillojnë një ndeshje finale midis tyre për të përcaktuar skuadrën e tretë që do të qëndrojë ose ngjitet në Kategorinë e Parë.”
Pas zhgënjimit të pësuar në humbjet 0-3 me Elbasanin dhe 0-1 me Veleçikun, të dyja kampet nuk e kanë humbur shpresën për të realizuar objektivin e sezonit.