Vllaznia luan me Universitatea Craiova për turin e dytë të Conference League. Të enjte në 19:30 në Rumani, shkodranët përballen në ndeshjen e kthimit, me duelin e parë në “Loro Boriçi” që përfundoi 1-1.
Shkodranët kanë udhëtuar sot drejt Rumanisë, teksa zëvendëstrajneri Auron Miloti ka treguar për “Shkodra Sport” se shkojnë në transfertë për kualifikimin.
“Jemi të mobilizuar, mendojmë të japim çdo gjë për kualifikim. Kemi udhëtuar dy ditë para ndeshjes për të dhënë më të mirën. Dimë forcën e Craiovas, në Shkodër dhamë më të mirën dhe morëm një pikë, gjithçka është e mundur.
Ne e kemi studiuar kundërshtarin, ia dimë tashmë pikat e tij të forta dhe të dobëta. Pamë që ai nuk është i pathyeshëm dhe do të tentojmë të marrim kualifikimin ndaj tij. Kuptohet qe Craiova është një ekip shumë i mirë, por ne futboll gjithmonë duhet të shpresosh deri në fund.
Ne besojmë te kualifikimi. Nuk ka rëndësi nëse e arrijmë gjatë 90 minutave apo në shtesë e me penallti. E rëndësishme është që Vllaznia të kualifikohet dhe ne besojmë për këtë.
Formacioni? Asgjë nuk është vendosur, të gjithë janë në gjendje të mirë dhe të shohim të enjte. Besojmë gjithmonë te fitorja, sporti është i tillë, T’ia lëmë fushës”, tha Miloti.