Kukësi ka mposhtur 2-0 Vllazninë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës vlente për javën e gjashtë të Superligës, me verilindorët që i janë falur dy supergolave të Shqiprim Taipit dhe Ndrecës.
Të besuarit e Longos ia dalin që pas tre ndeshjeve të kthehen te pikët e plota, duke i shkaktuar shkodranëve humbjen e parë sezonale. Fitorja 6-3 e Vllaznisë me Dinamon duket se ka “shterrur” sulmin kuqeblu, që nuk shfrytëzuan rastet e krijuara me Da Silvën dhe Aralicën. Nga një gol në secilën pjesë ka vendosur sfidën, që ishte me mjaft raste shënimi.
Me këtë fitore, Kukësi shkon në kuotën e 11 pikëve, duke marrë kreun së bashku me Tiranën (-1 ndeshje) dhe Teutën. Vllaznia mbetet në kuotën e nëntë pikëve në vendin e katërt.
Pas ndeshjes, për Gol pas Goli foli trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric:
“Humbja e parë me dominim? Urime Kukësit, shënuan dy herë dhe ishte mjaftueshëm për të fituar kundër nesh. Kishim një shans shumë të mirë, jo se kishim mungesë përqëndrimi, nuk u treguam të saktë me Da Silvën dhe më pas Kukësi shënoi një gol shumë të bukur, që ktheu ndeshjen në favorin e tyre.
Ne patëm një mungesë durimi, dolëm shumë para dhe do analizojmë çdo gjë për të nxjerrë mësime nga kjo humbje. Na ndodhin gjëra të tilla dhe është mirë edhe për mua, sepse nuk i kam gjërat shumë të qarta. Do mësojmë nga këto dhe ndeshjen e radhës do kemi një tjetër fytyrë.
Dëmtimi i Krymit? Arditi sot ishte i sëmurë, nuk ndihej mirë. Besoj se do e kemi ndeshjen e radhës. Ai na jep sigurinë e nevojshme në fushë. 11 lojtarët që janë në fushë duhet të jenë të aftë për situata të caktuara, e dinim cilësinë e Kukësit dhe duhet të ishim më të kujdesshëm”, tha Brdaric.