
Igor Angelovski nuk është më trajner i Maqedonisë së Veriut në futboll. Lajmin e bën me dije trajneri, që tregon se nuk do rinovojë me Federatën e vendit fqinj. Pas ndeshjes së djeshme në EURO20, humbur 3-0 me Hollandën, Angelovsi ka treguar në konferencën për shtyp se ishte ndeshja e fundit.
Për Maqedoninë e Veriut përfaqësimi në fazën finale të një Europiani ishte diçka madhore, teksa nuk lanë shenja. Më herët edhe kapiteni Goran Pandev njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja.
"Kjo është konferenca ime e fundit për shtyp në këtë cilësi, pasi kontrata ime me Federatën maqedonase skadon më 31 korrik dhe unë nuk do të jem më trajner i Maqedonisë. Do ta kujtoj këtë moment për gjithë pjesën tjetër të jetës sime. Falënderoj stafin tim, lojtarët dhe gjithashtu familjen time për të gjithë mbështetjen e tyre. Ka qenë një nder të jem në krye të kësaj skuadre në një kampionat evropian.
Ne donim të bënim më mirë, por askush nuk duhet të zhgënjehej sepse ishte debutimi ynë në skenën e madhe dhe gjithçka që mund të bëj është të falënderoj lojtarët për përpjekjen e tyre. Kjo skuadër bëri histori duke arritur në Euro 2020 dhe ne duhet ta falënderojmë Pandev për gjithçka që ai ka bërë për futbollin maqedonas", tha Angelovski.