Tirana, Laçi, Partizani dhe Vllaznia ishin skuadrat e Superiores që përfaqësuan kampionatin shqiptar në Kupat e Europës. Të katër ekipet u eleminuan duke lënë shije jo të mirë te sportdashësit në vend. Pikërisht për këtë fakt, trajneri Oltijon Kërnaja i bën apel drejtuesve të ndryshojnë strategji për t'u fokusuar te prodhimi vendas.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kërnaja tregon se futbollistët më të mirë kanë qenë ata të marrë nga Kategoria e Parë. Trajneri tropojan vinte theksin te investimi te moshat ku shkruante:
"Investoni tek të rinjtë, te e ardhmja! Ato lekë që ua hidhni disa brazilianëve apo atyre të ardhur nga Afrika. Bëni akademitë falas për U-19, U-17, U-15, për ekipet më të mira. Dhe do i merrni frytet pas 5-6 vitesh. Brazilianët gjithë sezonin bëjnë 2 gola. Të vetmit që kanë fituar janë menaxherët e shumtë në Shqipëri. Reflektoni! E dini që lojtarët më të mirë në këto ndeshjet e dobëta tuajat, janë ata të ardhur nga Kategoria e Parë? Dhe jo, të huajt!"
