Abissnet Superiore luan e gjitha të shtunën më 21 maj, javë e parafundit të këtij sezoni. Verdiktet kryesore janë vendosur dhe garohet vetëm për Europën. Njëra prej sfidave është mes Dinamos së rënë dhe Tiranës që është shpallur matematikisht kampione. Takimi fillon në orën 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku dinamovitët janë skuadra pritëse.
Për derbin e së shtunës janë bërë të ditur dhe çmimet e biletave. Dinamo ka vendosur që karshia e stadiumit të kushtojë 400 lekë, që është 100 lekë më shtrenjtë se çmimet që kanë vendosur Partizani dhe Tirana në ndeshjet e luajtuara më parë këtë sezon. Ndërsa tribunat A dhe B kushtojnë 1000 lekë. Shitja e biletave ka filluar.