Deputeti i PS, Erion Braçe është i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Top-Channel. Braçe ka folur për nivelin e futbollit shqiptar, ku sipas tij përgjegjësia kryesore bie mbi presidentin e FSHF-së, Armando Dukën. Deputeti socialist, njëkohësisht tifoz i Partizanit shprehi shqetësimin e tij për nivelin e Superiores, teksa akuzoi që ndeshjet janë të paracaktuara. Gjithashtu theksoi që futbolli është përfshirë në politikë.
“Nuk arrij ta kuptoj se çfarë po ndodh në futbollin tonë. I ashtëquajturi përfaqësuesi i futbollit, sulltani i futbollit në Shqipëri, e ka përfshirë futbollin në politikë. Ndryshe nga vitet e tjera që politika ndërhynte në futboll, tashmë ky i ashtëquajturi president e ka kthyer anasjellas. Shiheni se çfarë ndodh nëpër stadiumet e Superiores. Asnjë reklamë nuk ka. Po sigurisht si mund të guxojë dikush të investojë para për garë të pisët?”, deklaroi Braçe në panelin e “Procesit Sportiv”.
Më pas moderatori i emisionit, Manushi ia dha fjalën Olsi Bylykut, aktor i “Portokallisë”, për të folur për këtë situatë të futbollit në Shqipëri. Por, Bylyku tha shkurt: “ Mua më hallakati fare Braçe. Se di ç’desha të thoja. Se mbaj mend”, përfundoi “Kimikati” i “Portokallisë” që ishte tifoz i Tiranës.