Skuadra e dytë e Partizanit, pra Partizani B është dënuar ditën e djeshme nga Federata për shkak të një rregulli të thyer nga ana e të kuqve, ku sipas rregullores së caktuar nga FSHF-ja nuk lejohej që lojtarë të skuadrës së parë të luanin brenda një jave edhe me skuadrën e dytë, kur kishin zhvilluar një ndeshje me ekipin e parë. Për këtë çështje ka reaguar klubi në faqen e tij zyrtare, në të cilën sqaron se ky është një gabim nga ana e FSHF-së duke mos zbatuar rregulloren si duhet.
“Skandaloze! FSHF kthen Partizanin B në Kategorine e Dytë
FSHF ka marrë sot një vendim skandaloz për të rikthyer Partizanin B në Kategorine e Dytë. Vendimi vjen një muaj e gjysëm pas ndeshjes që Partizani B fitoi me rezultatin 4-1 kundër Sopotit, por vetëm disa orë pasi Partizani ishte ankuar në FSHF që këta të fundit të marrin masa ndaj Skënderbeut që ishte dënuar nga UEFA për trukime ndeshjesh.
Skandali në këtë cështje është se FSHF në vendimin e tyre zyrtar pranon se Partizani B ka ndjekur Rregulloren e Aktivitetit të sezonit 2015 – 2016 për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë përpikmërisht. Por kjo rregullore është shkruar me gabime nga FSHF, dhe Partizani B duhet te kishte ndjekur rregulloren që kishte ndërmend FSHF-ja, jo atë që kishte shkruar.
Lexoni këtë pjesë të marrë nga vendimi i FSHF-së
"konstatohet fakti që në Rregulloren e Aktivitetit të sezonit 2015 – 2016 për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë, në publikimin e bërë nga ana e FSHF, nuk rezulton të jetë pasqyruar kjo vendimmarrje e Komitetit Ekzekutiv. Çka bën që në vështrim të tekstit të publikuar në përmbajtje të këtyre rregulloreve shkelja e pretenduar të jetë realizuar pa faj nga KF “Parti...zani B”. "
Pra Partizani B kë bërë çdo gjë sipas rregullores së sezonit 2015/16 të publikuar nga vetë FSHF, por FSHF e dënon pasi ka harruar të shkruajë siç duhet rregulloren. Për të dënuar Partizanin B përdor rregulloren e kampionatit të vitit 2013. Ky është arsyetimi i FSHF-së:
"...në bazë të vendimit Nr.3 datë 11.11.2013 të Komiteti Ekzekutiv të FSHF është përcaktuar se nuk lejohet aktivizimi i lojtarëve që kanë luajtuar me ekipin e parë brenda 24 orëve nga zhvillimi i asaj ndeshje."
Pra sipas FSHF-së, një skuadër kur fillon sezonin, perveç rregullores së kampionatit aktual duhet të shfletojë çdo vendim që ka marrë FSHF që nga krijimi i saj se mos shkelin ndonjë rregull. Si duhet ta dinte trajneri dhe stafi i Partizanit B këtë rregull nga 2013? Po sikur të gërrmojmë më thelle dhe të gjejmë ndonjë rregull nga 50 vite më parë, a mund ta përdorim për këtë sezon?
Shpresojmë që klubi të apelojë në UEFA, pasi është e qartë që gabimi i vetëm në këtë histori është nga FSHF-ja në hartimin e Rregullores së Aktivitetit të sezonit 2015 – 2016. Për gabimet e tyre nuk ka pse dënohen djemtë e Partizanit B dhe stafi që kanë bërë një punë të mrekullueshme gjatë këtij sezoni”, shkruhej në faqen partizani.net