
Sokol Jareci ishte i ftuar në emisionin "Skaner" duke folur për sistemin VAR në Shqipëri si dhe rastet e diskutueshme. Shefi i Sektorit të Arbitrimit tregoi se ka momente që nuk mund të ndërhyjë ky sistem pasi shihet si jo bindës.
Në këtë moment ndërhyri edhe Sulejman Starova së bashku me Nevil Deden duke dhënë argumentet e tyre se pse po gabon VAR-i në Shqipëri. U diskutua pretendimi i penalltisë së Partizanit ndaj Laçit.
Biseda mes Jarecit, Starovës dhe Dedes:
Jareci: "Ky është rast gri. Nuk është bindës. Nuk është rast flagrant. Është rast i diskutueshëm. Ka disa që thonë se është dhe që nuk është. Për mua nuk ishte. Dhe nuk mund të thërritet gjyqtari për çdo rast të kundërshtim të mundshëm".
Starova: "Ky është një rast që vendimin do ta japë gjyqtari. Është gjynah se bëhet puna dhe hidhet poshtë. Ti i thua hajde shihe o zotëri. Në kushtet e futbollit shqiptar, ka gabuar. Në teori ti je përfekt. Ne vazhdojmë të themi që do të bënte mirë ta thërriste".
Dede: "Ju po citoni gjithë kohën VAR-i, VAR-i. Po a ka njerëz pas këtij VAR-i? A janë ata që e caktojnë nëse një rast është ose jo flagrant?", përfundoi trajneri i njohur duke e zënë ngushtë zyrtarin e FSHF-së.