Armando Cungu ka folur pas humbjes 1-0 në Ballsh. Trajneri i Laçit deklaroi për mikrofonin e Supersport:
“Të them të drejtën kjo vendosje erdhi si rezultat i një mungesë shumë të rëndësishme siç është Shehu. Luajtëm në një fushë kundërshtare mjaft të fortë. Në mënyrë absolute nuk erdhëm për të qëndruar në mbrojtje. Ia kam bërë me dije edhe djemve mënyrën se si mund të na mundë ky kundërshtar. E kështu ndodhi.
Kundërshtari s’na krijoi probleme sa i përket lojës së tyre. Në momente të caktuara edhe përtej rregullave që përmban loja e futbollit. Për çudi u lejua në mënyrë të tillë. Edhe kundërshtari ynë i kishte marrë porositë për të bllokuar futbollistët tanë në mënyrë jo futbolli.
Unë e kisha krejtësisht parasysh çfarë mund të na priste. Ndaj mora masa për të qenë pak më të mbledhur pas. Jam i bindur që ekipi ynë ka më shumë kualitet brenda. U penalizuam me kartonë të verdhë të cilët kushtojnë shumë në skuadrën tonë. Ndaj u tërhoqëm nga loja e fortë. Futbolli është sport burrash, por brenda disa rregullave. Nëse kalohen, duhet të jenë gjyqtarët që marrin masa.
Lojtarët e Bylisit kishin marrë direktiva për të na acaruar lojtarët. Gjithësesi i lumtë kundërshtarëve. Unë s’e thashë që arbitrat ishin me ta. Por, ndonjëherë ata janë nën trysni. Ndoshta duhet të ishte pak më trim në situata të veçanta. Lojtarët tanë kërcenin për të mos ngrënë shqelma”, ka përfunduar ai.