
Futbolli në vend u pezullua pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 dhe stafet si dhe lojtarët u dërguan të izoloheshin në shtëpitë e tyre. Numri i të infektuarëve në vend vazhdon të rritet dhe sipas specialistëve sapo kemi hyrë në javët e vështira. Në këto kushte nuk mund të flitet për jetë normale dhe aq më pak për futboll i cili tashmë ka ngrirë.
Kategoria e Parë në vendin tonë ndaloi në javën e 18-të të saj dhe nëse për këtë sezon futbolli do të ndërpritej përfundimisht ashtu si dhe në Superiore do të kishim debate të mëdha për titullin kampion.
Në grupin A situata duket si më e lehtë pasi Kastrioti është shkëputur me 9 pikë nga Besëlidhja e vendit të dytë, por debati pritet të jetë i madh tek grupi B ku ekipet janë të ngjeshura me njëra tjetrën. Pogradeci ka rrëmbyer vendin e parë në javën e fundit ndja Apolonisë duke e parakaluar me 2 pikë, ndërsa Lushnja e vendit të 3 ka shanset e saj për të luajtur deri në fund. Momentalisht renditja aktuale vijon Pogradeci 39 pikë, Apolonia 37, Lushnja 35. Tre ekipe shumë të ngjeshura me njëra-tjetrën dhe në rast se ndërpritej kampionati atëherë Pogradeci do të dilte i lumtur nga kjo situatë, ndërsa debati do të nxitej nga Apolonia dhe Lushnja. Një situatë që i ngjason dhe Seria A në Itali.