
Laçi merr një fitore të artë në transfertë ndaj Tiranës. Sfida e zhvilluar në "Air Albania" u mbyll me rezultatin 0-1 për kurbinasit që I falen një goli të Mazrekajt nga goditja e këndit, por që u devijua edhe nga Najdovski dhe përfundoi në rrjetë. Tirana tentoi disa herë të rihapte ndeshjen, por Laçi e ruajti deri në fund këtë rezultat duke marrë 3 pikë me vlera e duke u futur në garën për titull, ndërsa Tirana del përfundimisht nga gara për Europën. Me këtë fitore, Laçi renditet në vendin e 3-të me 60 pikë, 2 pikë më pak se Teuta dhe Partizani kryesues, ndërsa bardheblutë në vendin e 5-të me 54 pikë. Në fund të sfidës për "Gol pas Goli", trajneri i Tiranës, Orges Shehi u shpreh:
Humbje që iu lë jashtë Europës? "Na vjen keq sepse në këtë fazë nuk ke kohë rikuperimi. Kur ndëshkohesh me një gol aksidendal të vjen akoma edhe më keq, por ky është verdikti që të jep fati. Çfarë të them që sulmuesit nuk bëjnë gol?! Këtë nuk e them pasi kur një ndeshje fitohet apo kur humbet përgjegjësi jam unë".
Dalja e Çelhakës dhe çfarë do të bëjë Tirana në vazhdim? "Kur pëson humbje të tillë, dhimbja është e madhe. Kam folur me presidentin para pak ditësh për të afrimet në merkato, por fokusi më i madh ka qenë tek ndeshjet pasi ishim afër objektivave. Tirana do të luajë dy ndeshjet e tjera për të fituar pasi kjo është Tirana. Çelhaka shtrëngoi dhëmbët në pjesën e parë dhe luajti i dëmtuar, ndërsa në pjesën e dytë e kishte të pamundur dhe kërkoi zëvendësim.
Nuk më mungon motivimi, por kur del nga objektivave pas një humbje të tillë, dhimbja është edhe më e madhe. Nuk është çështje dorëzimi, por dhimbje e më vjen keq për lojtarët që kanë konsumuar shumë e dhimbja është më e madhe për ta".