Marko Cetkoviç është zyrtarisht një futbollist i Partizanit. Klubi i kuq ka njoftuar disa minuta më parë për arritjen e marrëveshjes me fantazistin malazez, i cili ka firmosur kontratën me 15 herë kampionët e vendit.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka dhënë edhe vetë mesfushori 30-vjeçar përmes një fotoje të publikuar në profilin e tij në Facebook me shallin e Partizanit.
"Partizani, destinacioni im i ri", shkruante Cetkoviç, ndërsa komentet e tifozëve të kuq kanë qenë entuziaste për këtë lëvizje duke i komentuar për t'i uruar mirëseardhjen futbollistit të ri të ekipit që drejtohet nga trajneri Starova.
Entuziazëm për këtë përforcim ka pasur edhe në faqen zyrtare të klubit të Partizanit në Facebook, ku tifozët e kuq e konsiderojnë "një super lëvizje" të merkatos së dimrit.