Antonio Cassano vazhdon me komentet e tij për skuadrat dhe trajnerët. Këtë herë në “thumbin” e tij ka rënë Jose Mourinho. Mënyra e kualifikimit të Romës në finalen e Europa League ndaj Bayer Leverkusen nuk i ka pëlqyer aspak Cassanos, i cili ka theksuar se portugezi nuk ka qenë ndonjëherë trajner i madh.
Cassano gjithashtu u shpreh se në ndeshjen që verdhekuqtë luajtën në Gjermani, vendasit goditën 22 herë drejt portës dhe 6 herë brenda kuadratit teksa italianët asnjëherë.
“E dua Romën, i dua ata njerëz. Por Roma nuk luajti në 98 minuta. Trajneri do të thotë se gjithçka është e veçantë, por ai është më me fat se sa është i fortë. Unë duhet të flas për ndeshjen dhe të analizoj lojën. Është turp. Diçka e pakuptueshme. Por çfarë do të thotë ai? Ai do të thotë që është në finale, se ka fituar”, ka theksuar Cassano.