
Kosova do të luajë mbrëmjen e kësaj të premte sfidën e parë të Nations League përballë Rumanisë. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, do të startojë në orën 20:45.
Ndërsa në prag të kësaj sfide, ka folur sulmuesi dardan, Vedat Muriqi. Bomberi beson se Kosova është favorite për ta mbyllur si e para e grupit.
“Jemi në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme kundër Rumanisë. Pas shumë kohësh kthehemi në 'Fadil Vokrri' dhe jemi shumë optimist. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe e njohim kundërshtarin nga përballjet e kaluara, prandaj shpresoj ta nisim mbarë me tri pikë.
Ne 'besojmë në hakmarrje' por brenda fushës. Nuk duhet t'ia kthejmë njëjtë siç na bënë ata në Rumani. Ne lojtarët duam të jemi të përqendruar në fushë dhe duhet të fitojmë për të qenë goditje e madhe për ta.
Rumania dhe Kosova janë favorite për ta zënë vendin e parë në këtë grup, pa dashur të nënçmoj dy ekipet tjera. Nëse e nisim mbarë me fitore, do të bëjmë hap të madh dhe të rëndësishëm për të përfunduar si lider grupi”, tha Muriqi.