Kosova do të luajë nesër në mbrëmje në shtëpi përballë Qipros, sfidën e vlefshme për javën e 4-të të Nations League. Ndeshja që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, nis në orën 20:45. Në konferencën për shtyp para ndeshjes ka folur trajneri i Kosovës, Franco Foda.
Tekniku i “Dardanëve” thotë se ekipi i tij dëshiron vetëm vendin e parë dhe se me atë të dytin nuk janë aspak të kënaqur. Ndër të tjera, Foda flet edhe për gjendjen fizike të ekipit dhe mungesat e sigurta.
“Kundër Lituanisë kemi treguar që jemi ekip i mirë dhe luajmë si një ekip. Më e rëndësishmja është që luajmë së bashku me shumë energji. Kemi mundur të shënojmë më shumë gola. Personalisht nuk jam i kënaqur me vendin e dytë. Duhet të synojmë lart dhe do të luftojmë për vendin e parë në grup.
Aro Muriç ka qenë i lënduar, por dje ka qenë në stërvitje dhe do ta shohim nëse do të jetë 100% i gatshëm për ndeshjen e nesërme. Për ndeshjen e nesërme do të mungojë Elvis Rexhbeçaj, pasi është i suspenduar me kartona dhe na duhet të gjejmë një alternativë për ta zëvendësuar”, është shprehur Foda.