Rëndësia e zgjedhjeve për president te Barcelona mund të prekë dhe fatin e Hansi Flick në stolin e skuadrës. Burimet pranë klubit katalunas, shkruajnë se tekniku gjerman e ka shprehur qartë zgjedhjen e tij dhe se këmbëngul që projekti i nisur dy vite më parë meriton të njëjtin konfirmim.
Joan Laporta është njeriu, tek i cili mund t’i besojë Flick idetë e tij rreth planit që kanë investuar, dhe se një bashkëpunim i tillë nuk mund të ndërpritet në një moment kyç për skuadrën.
Madje, 61-vjeçari ka shkuar më larg, duke “kërcënuar” me largim nëse në krye të presidencës vjen Victor Font.
Më herët, vetë Laporta ka konfirmuar lidhjen e fortë mes tij, trajnerit dhe drejtorit sportiv Deco.
“Flick na e ka shprehur tashmë pozicionin e tij. Ai ndihet vërtetë komod me projektin tonë dhe punën e shfaqur deri më sot nga skuadra. Gjithashtu, i beson shumë Decos”, deklaroi Laporta.
