Barcelona ka vendosur të bëjë hapa prapa sa i takon Alessandro Bastonit. Mbrojtësi i Interit, i cili mbetet një prej objektivave të klubit për të përforcuar mbrojtjen, duket se nuk bind aq sa duhet trajnerin Hansi Flick.
Edhe pse dëshira e drejtuesve blaugrana ekziston për ta transferuar në “Camp Nou” sezonin e ardhshëm, vetë Flick mendon se karakteristikat e mbrojtësit nuk do t’i përshtateshin kërkesave të tij për linjën mbrojtëse, çfarë ka bërë që “fjala e fundit” prej teknikut gjerman të mos jepet për vazhdimin e kësaj tratative.
Interi ka bërë të ditur se nuk do ta lejojë largimin e Bastonit pa u paraqitur në tryezën e bisedimeve një ofertë prej 65 deri në 70 milionë euro, ndërsa Barcelona nuk e ka në plan të shkojë më shumë se 50 milionë të tillë.
