
Futbolli në vendin tonë është ndalur për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste dhe presidentët e 10 klubeve të Superligës. Të gjithë së bashku kanë vendosur që të mos ketë futboll deri në momentin që Qeveria të plotësojë 4 kërkesat e tyre dhe vetëm në këtë mënyrë do të përufundojë bojkoti. I ftuar në emisionin "Fair Play" në Syri TV me Gazetaren Enkeleida Zeko, sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferrri u shpreh se nuk ka futboll pa u përmbusur këto kërkesa.
"Kjo situatë duhet të mbarojë sa më shpejt. Të ketë një takim sa më shpejt mes kryeministrit dhe delegacionit të Ligës që ky ngërç të marrë fund.
Mendoj se është një çështje madhore, pasi futbolli duhet të futet në rrugën e biznesit. Gjithkush që investon në sport, të ketë siguri që t'i rikthehet në një farë mënyrë investimi.
Katër pikat për këtë janë. Jemi të gjithë së bashku, pasi këto kërkesa do ta fusin sportin në gjëra që do të funksionojnë si duhet.
Bojkoti duhet të ndërpritet, duke u plotësuar kërkesat nga ana e qeverisë. Topi tashmë është në fushën e qeverisë"