
Claudio Ranieri po niset drejt Romës për t'u konfirmuar si trajneri i ri i verdhekuqve. Kështu deklaron "Sky Sport". Sipas medias së njohur sportive, tekniku veteran italian është përzgjedhur si pasuesi i Eusebio Di Francescos për të drejtuuar "ujkonjat" deri në fund të sezonit. Ai u shkarkua nga ekipi i Fulhamit në Premier League pas rezultateve të dobëta që po e dërgojnë ekipin drejt rënies nga skena e futbollit anglez.
67-vjeçari renditet si njëri prej trajnerëve me "CV"-në më të pasur në futbollin italian dhe europian teksa ka drejtuar në 33 vite klube të mëdha si Juventusi, Interi, Roma, Chelsea etj. Ai realizoi një nga befasitë më të mëdha në historinë e futbollit ku 3 vite më parë ndihmoi Leicesterin të shpallej "mbreti" i Premier League. Pra, tekniku i kombëtares sonë Panucci nuk ka patur asnjë shans për të mposhtur kandidaturën e Ranierit si strategu i ri i Romës.
Trajneri i Shqipërisë u përfol në mediat italiane si kandidat potencial për të marrë drejtimin e Romës pas eliminimit të papritur nga Champions League ditën e djeshme nga Porto. Sipas të gjitha gjasave, ai do të jetë i përqëndruar te misioni që ta ndihmojë Shqipërinë për të përsëritur kualifikimin për herë të dytë radhazi në kampionat europian.