Gerard Pique ka folur për situatën e fundit te Barcelona dhe sezonin e ri. Qendërmbrojtësi I katalanasve e ka cilësuar Leo Messin si lojtarin më të mirë të historisë, ndërsa ka “thumbur” presidentin Bartomue. Spanjolli mendon se Leo duhet të dëgjohet në klub, ndërsa duhej gjetur gjuha për rinovimin me “Pleshtin”. Pique gjithashtu shprehet se nëse ai do të kishte vendimarrje në klub, do propozonte emrin e Messit për stadiumin e ri.
“Nuk kam patur shumë kontakte ato ditë, sepse mendova se ishte një vendim personal. Mbaj mend një bisedë kur i thashë: Leo, është një vit, pastaj vijnë njerëz të rinj. Ai e kishte fituar autoritetin për të marrë një vendim edhe nëse mendonte se duhej të shkonte.
Unë, nëse do të isha president, do të kisha vepruar ndryshe. Një lojtar i cili për 16 vjet ka dhënë kaq shumë. Jeni i detyruar të arrini një marrëveshje me të.
Pyes veten: si mund të ndodhë që lojtari më i mirë në histori, të cilin kemi pasur fatin ta shijojmë, të ngrihet një ditë dhe të dërgojë një burofaks, sepse ai mendon se nuk janë duke e dëgjuar? Gjithçka është tepër tronditëse. Messi meriton gjithçka.
Stadiumi i ri duhet të ketë emrin e tij dhe më pas atë të sponsorit. Ne duhet t’i ruajmë figurat tona, jo t’i diskreditojmë ato. Më bën nervoz. Më habit fakti që njerëz si Pep, Puyol, Xavi ose Valdés nuk janë në klub. Diçka nuk po shkon mire”, u shpreh Pique.