
Kthimi i tifozëve në shkallët e stadiumit është një çështje e nxehtë në vendin tonë, ndërsa në Europë kanë dhënë dritën jeshile që në disa shtete të hapen 30 përqind e kapaciteve të stadiumeve. Sot, zv. Ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini deklaroi se mbështetësit e futbollit tonë, do të kenë mundësi të jenë në stadium vetëm në pranverën e vitit të ardhshëm. E thënë ndryshe, ata do të mund të jenë pranë ekipit të tyre në fundin e sezonit të ardhshëm.
Për të mos përmendur dëmin kolosal ekonomik të shkaktuar klubeve, ai moral është shumë i madh për tifozët. Duket si një autogol i qeverisë në këtë prag fushate, që kthen kundër mbështetësit e futbollit ose e thënë ndryshe elektoratin. Mjafton të kujtojmë një derbi në Air Albania ku kanë qenë të pranishëm plot 20 mijë tifozë. E pikërisht ata janë edhe votues njëkohësisht. Ndaj është mirë që tifozit mos t'i mohohet dashuria e tij pa kushte, sepse kjo lloj humbje me gol të shënuar në portën tënde, pasojat mund t'i ketë të mëdha.