Barazimi i Skënderbeut në transfertë 2-2 me Teutën, nuk ka kaluar pa polemika. Kapiteni i korçarëve, Vangjel Zguro hodhi akuza për gjykimin dhe për arsyer se përse VAR nuk u përdor në rastin e pretenduar për prekjen e topit me dorë në zonë.
Në lidhje me deklarata publike dhe reagimet në rrjetet sociale, dje Komisioni i Disiplinës pranë FSHF bëri me dije hapjen e një procesi disiplinor për Zguron. “3. Çeljen e hetimit disiplinor për lojtarin e KF Skënderbeu, Vangjel Zguro”, thuhet në vendimet e Disiplinës.
Zguro nuk ka ngurruar të reagojë sërish, këtë herë indirekt dhe pa përmendur emra.
“Jetojmë në një kohë ku e vërteta dhemb, ku njerëzit s’kanë më turp dhe s’ju skuqet më fytyra nga turpi. Ku servilët ecin përpara dhe e keqja mbizotëron, fjala njeri ka humbur prej kohësh. Zot na ruaj por nuk kemi çfarë të bëjmë, shumica janë kështu dhe duhet të bashkëjetojmë me këta lloj njerëzish, sepse i kemi në planetin tonë. Fatkeqësisht”, shkruan Zguro.