
Problemet me arbitrimin këtë periudhë nuk e kanë ndalur Federatën Shqiptare të Futbollit, që ka filluar fazën e dytë të trajnimeve për sektorin e arbitrimit. Akademia e Arbitrimit është prioritet për FSHF, ndaj në këtë trajnim kanë marrë pjesë 90 studentë, nga të cilat 14 kanë qenë vajza. Me leksione intensive 8 ditore, Rregulloren e lojës dhe testet teorike e praktike, do të përmbyllin këtë fazë të dytë.
Më herët, në fazën e parë kandidatët për sektorin e arbitrimit janë trajnuar nga ekspertë të fushës, duke marrë leksione për fusha të ndryshme. Në tre muajt e fundit, kandidatët kanë qenë në terren duke arbitruar në ligat amatore.
Për këtë trajnim dhe në lidhje me fushatën e arbitrimit, Sokol Jareci është shprehur: "Faza e parë e zhvilluar në muajin tetor ishte shumë e rëndësishme për ne por edhe për këta të rinj që u bënë pjesë e Akademisë së Arbitrimit. Kemi parë një interesim të madh për t'u rritur dhe ecur përpara nga këta të rinj, gjë e cila na bën padiskutim optimist për perspektivën e arbitrimit shqiptar. Pas fazës së parë të rinjtë janë bërë pjesë e jona, duke arbitruar për 3 muaj në ligat amatore, dhe tani janë në fazën e dytë ku po njohin në detaje Rregulloren e Lojës dhe po trajnohen nga ekspertët më të mirë të fushës. Ne i kemi ndjekur dhe gjatë arbitrimit në ligat amatore dhe duhet të theksoj se ka element të perspektivës".