
Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, në një intervistë të dhënë për televizionin "6 + 1 Vlora", ka treguar dhe çfarë u diskutua dje, në mbledhjen e ekipit.
Idrizi ka thënë se futbollistët kanë dëshirë të luajnë me Flamurtarin, ndërsa humbja me Skënderbeun la disa pikëpyetje mbrapa.
"Ajo që unë dua të theksoj është se nuk është mëkat të humbësh nga kryesuesi i Superiores, por ne nuk kemi luajtur më shpirt në atë ndeshje dhe për këtë duhet t'i kërkojë ndjesë tifozëve vlonjatë. I kam pyetur futbollistët për vazhdimësinë dhe të gjitha kanë qenë në të njëjtin mendim, për të nderuar fanellën e Flamurtarit.
Një ngjarje e tillë na ka ndodhur me Skënderbeun përpara dy viteve, ku ekipi nuk reagoi, nga faktor subjektiv apo objektiv, këtë arsye nuk e di saktësisht dhe unë kam shkrirë një ekip. Pas çdo lloj humbje të ekipit, unë përgëzimin e bëj në mënyrë klasike, duke përgëzuar kundërshtarin që ishte më lartë se ne. Por në raste kur humbja ka pikëpyetje nga mbrapa, atëherë edhe unë ngre ato pikëpyetjet e mia. Megjithatë dua të them se ky ekip është grupi më serioz që unë kam parë te Flamurtari. Unë jam një drejtues që kam dërguar ekipin tim në Prokurori, për arsyen se një ndeshje e caktuar është luajtur në baste, por nëse Prokuroria nuk vepron, atëherë ky nuk është faji im."
Merkatoja e janarit
"Muharem nuk është në nivelin që në kërkuam, megjithatë nuk mund të quhet një dështim, pasi ka ardhur pas një dëmtimi dhe me një CV të pasur. Te pjesa tjetër e afrimeve në janar, mund të them se te njëri prej tyre kam mendime jo shumë pozitive, por kjo është një histori tjetër", përfundoi Idrizi.