Elvis Kabashi ka zgjedhur të rinovojë me skuadrën e Renates deri në vitin 2022. Mesfushori durrsak ka ndërruar 7 skuadra në 6 vite si lojtar profesionist, megjithatë së fundmi duket se ka zënë "vend".
Lajmi është bërë me dije nga klubi italian që militon në Seria C që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar shkruante: "Klubi i Renate komunikon se ka arritur akordin për zgjatjen e kontratës me futbollistin Elvis Kabashi.
Mesfushori i datëlindjes 1994, deri tani thelbësor në lojën e zikaltërve, me 3 gola mes kampionatit dhe Kupës në 18 ndeshje zyrtare, ka nënshkruar një kontratë të re me klubin, falë të cilës lidhet me të deri në qershor 2022".
25-vjeçari u përshkrua në fillimet e tij si një nga lojtarët e së ardhmes teksa doli nga gjiri i Juventus. Mirëpo karriera e tij kishte mjaft-ulje ngritje dhe destinacioni i ri u bë Seria C. Veç Renates, ai ka luajtur me Dinamon e Bukureshtit, Livornon, Viterbesen, Pontedera dhe Pescarën.
