
Edhe pse vijon të vuajë dënimin 10-vjeçar të marrë nga UEFA, Skënderbeu duket se do të vijojë të japë "leksione" sa i përket shitjeve të futbollistëve në arenën europiane. Agon Elezi është lojtari i radhës që pritet të largohet nga kampi korçar.
Talenti që spikati këtë sezon me bardhekuqtë është pranë kalimit te Boavista në Portugali. Madje, gazetar "Record" raporton se është gjetur akordi për shifrën e 400 mijë eurove, ku korçarët do të kenë 10 përqind të kartonit të lojtarit shqiptar.
Këtë edicion futbollistik, me në krye Ilir Dajën, ai ishte një nga lojtarët kryesorë të Skënderbeut. Është vetëm 19-vjeç dhe ishte pikërisht tekniku kryeqytetas që pikasi cilësitë e tij, duke e ndihmuar në këtë mënyrë për hapin e madh në karrierë.