Partizani ka zyrtarizuar sot “Macron” si sponsorin i ri teknik për sezonin e ardhshëm. Të kuqtë prezantuan fanellat që do mbajnë veshur lojtarët, që nga ndeshja me Saburtalon në Europë.
Mes fanellave që paraqiteshin për publikun, do tregohej dhe ajo e portierit. Kështu Partizani u vendos në pozitë për të zgjedhur portierin që do pozonte para tifozëve.
Kapiteni Alban Hoxha sigurisht që mendohet si zgjedhja e parë, pas thuajse 1 dekade i kuq, megjithatë nëse Rexhepi i zë vendin dhe Hoxha nuk pajtohet me stolin, atëherë mund të vijë largimi. Kështu fotoja zyrtare e prezantimit të fanellave mund të shkonte “dëm” gjatë sezonit.
Për këtë u vendos që Laroshi të ishte prezantuesi i fanellës së portierëve sepse as Teqja nuk e ka vendin e sigurt. Konkurrenca me Hoxhën e ka lënë të shumtën e herëve në stol dhe pas disa paraqitjeve të mira si titullar gjatë sezonit të fundit, kur Hoxha u dëmtua.
Në anën tjetër 20- vjeçari Laroshi shihet me perspektivë dhe largimi i tij mund të quhet hap i gabuar. Kjo mund të quhet “vështirësia” e parë që Partizani hasi me 4 portierë në skuadër, ndërsa mbetet për t’u parë kush do e gëzojë vendin e titullarit ndaj Saburtalos në Gjeorgji.
