Xhulio Mehmeti nuk është më pjesë e Kastriotit. Zyrtarizimi ka ardhur nga vetë lojtari, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ky është largimi i pestë te krutanët, pasi Rezi, Zhivanaj, Duka dhe Bardhi kanë mbyllur me kohë bashkëpunimin me klubin.
Mesfushori 27 vjeçar, Mehmeti ka zhvilluar 33 paraqitje këtë sezon, ku ka shënuar një gol dhe ka assistuar dy herë. Ai u bë pjesë e Kastriotit në vitin 2019, kur erdhi nga Kamza. Nuk mund të mungonte një falenderim për të gjithë, duke filluar nga Presidenti e deri te tifozët.
"Kontrata ime me Kastriotin mbaroi. Kam vendosur të kërkoj diçka të re në karrierën time. Ishin dy vite të bukura dhe jam i lumtur që kontribova sadopak në arritjen e objektivave të ekipit gjatë këtyre dy viteve. Falenderoj, Presidentin, Drejtorin, Trajnerin, Stafin, Tifozët dhe shokët e ekipit. Ishte kënaqësi" - shkruan ai.
