Tanimë nuk ka dyshime, edhe Tirana do t’i nënshtrohet testeve për Covid-19, pas ndeshjes së mesjavës ndaj Bylis. Ballshiotët kanë konfirmuar Eridon Qardakun me koronavirus, ndërsa bardheblutë do të kryejnë testet nesër. Edhe pse sipas faqes zyrtare ekipi gëzon shëndet të plotë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë verdiktin e saj.
Për të siguruar shëndetin e lojtarëve dhe familjarëve të tyre, është parë e udhës që lojtarët bardheblu të kryejnë testet. Klubi që kryeson renditjen aktuale të Kategorisë Superiore, ka marrë shkresën zyrtare nga Ministria, ndërsa nesër paradite do të kryejë testimet për t’u siguruar se asnjë lojtar i 24 herë kampionëve nuk është pozitiv me Covid-19.
Njoftimi i Tiranës:
KF Tirana ka marrë sot njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku për efekt të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, të kryhet testimi për Covid-19 për të gjithë skuadrën që ka marrë pjesë në ndeshjen FK Bylis – KF Tirana.
Testimet nga KF Tirana do të kryhen ditën e Shtunë paradite ndërkohë që skuadra gëzon shëndet të plotë dhe vazhdon përgatitjet për ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Luftëtarit.