
Prej javësh Liga Profesioniste ka vendosur në marrëveshje me klubet bojkotimin e Kategorisë Superiore të Futbollit, deri në momentin që qeveria të plotësojë 4 kërkesat që Liga ka.
Deputeti Fidel Ylli, i cili është i deleguari i kryeministrit Rama për të gjetur një marrëveshje me Ligën për rifillimin e futbollit në vendin tonë.
I ftuar në A2, Ylli ka thënë se për të sponsorizuar sportin ka një mënyrë tjetër, duke mos shpenzuar nga buxheti i shtetit.
Ai është shprehur se duhet të lejohet hapja e basteve sportive, pasi janë 50 milionë euro që mund t'i përfitojë sporti.
"Jam njeri i sportit dhe nuk dua t'i hedh benzinë zjarrit, por duhet një vit zero për futbollin dhe sportin shqiptar në përgjithësi. Kanë 30 vjet që vazhdojnë në të zezë, klubet e futbollit. Në Kuvend i thamë që pas këtyre viteve, do iu japim edhe 2 vjet të tjera për t'u refuzuar dhe fiskalizuar. Këto kane çuar një letër ku kanë kërkuar 10 vjet. Mendoj që nuk mund të bëhen kapërcime të kësaj natyre.
Klubet duhet të kenë burime njerëzore, ekonomistë, juristë, fusha stërvitje personale, aty ku fitimet merren pas 10 vitesh. Këto gëzohen se dalin kampionë, kalojnë dy turne në Europë, dhe gëzohen me ato para. Presidentët kanë lënë lekët e bizneseve të tyre, më vjen keq për to.
Gjithë këtë lojë e bën Duka, nga një anë thotë i takon presidentëve të takohen me kryeministrin, nga ana tjetër thotë prisni ta takoj unë përpara. Në Ballkan nuk ka Ligë, Ligë ka Anglia që e ka kuotuar në bursë. E ka Italia dhe Spanja, bëjnë miliarda nga shitja e lojtareve, nga të drejtat televizive, janë biznese fitimprurëse. Kurse këto tanët e kanë zyrën në Air Albania, buxhetin e kanë nga federata, politikat i bën Federata".
Ligji i sponsorizimit? "Kemi nevojë për ligj sponsorizimi, sepse do të përfitojë i gjithë sporti. Por sponsorizimi nuk bëhet si duan këta, që donin të bënin një shtet paralel. Federata e Futbollit nuk mund të bëj politikat e gjithë sportit, do prisheshe e gjithë linja e buxhetit.
Pse një shtet i ri si Kosova ka një buxhet 11 milionë euro për sportin dhe ne kemi 900 mijë euro? Kjo tregon që qeveria duhet të jetë më e vëmendshme, edhe pse ka filluar të jetë, të krijojë një ministri në vete.
Të hapen bastet sportive, nuk i mbylli as Enveri, janë 50 milionë euro që mund të marrë sporti. Sikur vetëm bastet të merrte sporti nuk do duhej asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ishin bërë si kërpudha, po atëherë t'i marrë në dorë shteti, sepse baste ka edhe në Itali dhe në Angli edhe kudo".