Shkodranët e kanë nisur më së miri merkaton e verës, duke rinovuar me kapitenin Ndriçim Shtubina, gjithashtu dhe me një tjetër lider të mesfushës, Florind Bardullën. Por, ajo që shihet e vështirë për skuadrën e trajnerit Armando Cungu, është rinovimi me një pjesë të mirë të skuadrës, pra me lojtarë që kanë potencial dhe që mund të ndihmojnë Vllazninë për sezonin e ardhshëm. Ekipi ka marrë garancinë financiare nga bashkia, ndërsa do të shihet mundësia e ndërtimit të një grupi kompetitiv, i cili do të synojë kreun e tabelës për t’iu rikthyer viteve kur kuqeblutë përfaqësoheshin në kompeticionet europiane.
Por, nga burime informative pranë klubit kuqeblu bëhet me dije se lojtarët që shihen si e ardhmja e Vllaznisë, bëhet fjalë për të rinjtë, ata kanë kontratë dhe nuk do të lihen të lirë edhe pse kanë shumë oferta. Ndërsa problem mbeten ata që kanë eksperiencën e duhur për të ndihmuar skuadrën për arritjen e objektivave. Kërkojnë shumë para, ndërsa edhe kontratën e kërkojnë afatshkurtër. Këtu po çalojnë të gjitha punët te Vllaznia e sezonit të ri. Ndërkaq, ata që nuk do të pranojnë kushtet e reja, pritet që të largohen zyrtarisht.