Para takimit kundër Skënderbeut që do të luhet nesër në Korçë, në kampin e Vllaznisë janë të motivuar për të bërë maksimumin në këtë 90-minutësh.
Zëvendës trajneri i Vllaznisë, Aleksandar Maxhar, në konferencën për shtyp është shprehur se shkodranët nuk do të tolerojnë ndaj Skënderbeut.
“Ndeshja me Skënderbeun është shumë e vështirë, sepse kundërshtari është i motivuar për të fituar, ngaqë ka objektivat e veta për t’u shpallur kampion. Megjithatë, edhe Vllaznia nuk shkon për të toleruar, por është e vendosur për të kërkuar rezultat pozitiv. Mundësitë i ka, sepse ka treguar që mund të marrë pikë ndaj çdo kundërshtari.
Momentin jo të mirë, që kaluam pas barazimit me Korabin, skuadra e ka kaluar tashmë dhe po mendojmë vetëm për sfidën me Skënderbeun. Kemi mungesa, megjithatë, ata që do të luajnë jam i sigurt se do të japin më të mirën e mundshme. Vllaznia shkon me objektivin e qartë për ta fituar këtë ndeshje dhe kjo nuk do të thotë se duhet të jetë e kënaqur me barazimin. Jemi në garë për vendin e katërt, vend që besoj do të përcaktohet pas sfidës direkte, që do të kemi me Luftëtarin javën e ardhshme.
Sa i takon të ardhmes time te Vllaznia, kontrata më mbaron më 1 qershor. Dëshira është për të vazhduar sërish, por kjo nuk është në dorën time, vendosin drejtuesit. Natyrisht, Cungu më ka sjellë në Shkodër dhe padyshim që do të bisedoj me të për gjithçka, sa i takon të ardhmes sime”.