Pas publikimit të videove në rrjete sociale ku shfaqej duke ecur me shpejtësi 307km/h, Aleks Visha është shoqëruar mbrëmjen e sotme në komisiariatin e Policisë.
Personazhi i njohur i TikTok-ut është gjobitur me 100 mijë lekë të reja, ndërsa mësohet se Policia i ka bllokuar mjetin tip “Ferrari” me të cilin udhëtonte me shpejtësi “skëterrë.” Ai u shfaq duke ecur me shpejtësi 307km/h me mjetin luksoz në tunelin e Kalimashit pas ndeshjes së futbollit mes Kukësit dhe Bylisit të përfunduar me fitoren e verilindorëve.
Njoftimi nga Policia Rrugore e Tiranës:
Qarkulloi me shpejtësi 305km/h, në tunelin e Kalimashit, Policia Rrugore e Tiranës identifikon dhe bllokon automjetin “Ferrari”.
Shoqërohet në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. V.
Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që qarkullonte me shpejtësi 305 km/h, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar punën për identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij. Në bazë të pamjeve filmike të siguruara, është identifikuar dhe ndaluar automjeti tip “Ferrari” me drejtues shtetasin A. V., të cilin e Policia e ka shoqëruar në Komisariat.
Ndaj drejtuesit të automjetit u mor masë administrative 100 000 lekë të rinj.Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.