
Rrëzimi i Flamurtarit në Kategorinë e Dytë ka sjellë debat në studion e Procesi Sportiv. Gëzim Sinemati dhe administratori i vlonjatëve, Sinan Idrizi, kanë debatuar mes tyre për situatën në të cilën ndodhet sot skuadra e futbollit. Sinemati ka hequr paralelizma me nisjen e investimeve nga Idrizi në Vlorë, kur premtohej stadium dhe një futboll tërheqës.
I menjëhershëm ka qenë kundërsulmi i Idrizit, që I ka treguar Sinematit se ai I nxjerr lekët nga xhepi ndërsa Sinemati s'di ç'nxjerr nga goja. Debate me tone të ashpra edhe për kushtet, shpenzimet dhe gjendjen ku është skuadra.
Pjesë nga debati:
Sinemati: Në fillim të sezonit premtuan se do ta bënin Flamurtarin si Barcelonë. Premtuan shumë gjëra dhe shih se çfarë ndodhi. Dua t'i them Idrizit që a e zë gjumi natën kur thonë njerëzit që e kemi prej Sinanit dhe prej kryetarit të Bashkisë?
Idrizi: Unë nuk e di se ti ke probleme me të kuptuar. Nuk kam thënë kurrë se do të bëj Flamurtarin si Barcelona. Kam thënë se do ndërtoj një klub modern, ku në Shqipëri të ketë ligje të qarta sporti dhe investimesh. Jam kapitalist, jo ëndërrimtar që të tregoj përralla me mbret. Na tregon histori këtu me Barcelonën. Jam krenar që nuk i kam vjedhur qytetit asnjë dollar të vetëm. Ky është ndryshimi mes meje dhe teje. Unë nxjerr nga xhepi dhe harxhoj për këtë qytet, ti nxjerr nga goja dhe nuk di se çfarë nxjerr nga goja.