
Dinamo vijon përgatitjet në kuadër të javës së 17 të Kategorisë së Parë. Klubi kryeqytetas që prej një dekade e sheh veten jo në elitë, së fundmi ka pësuar tre "firo". Kapiteni Erxhan Muça, Alcani dhe Sefa kanë "braktisur" klubin për shkak të pagave të prapambetura, duke bërë që të rritet vështirësia për mbijetesë.
Blutë janë në vendin e fundit të Kategorisë së Parë për grupin A dhe në fundjavë do të presin Besëlidhjen, në një ndeshje më shumë se delikate. Të besuarit e Fabrizzio Cammaratas kanë vijuar edhe sot përgatitjet për këtë duel, me "Nëndetësen" që kërkon mbështetjen e tifozerisë për t'ia dalë në këtë takim.
"Dinamo vijon me ritëm të lartë stërvitjen për ndeshjen e fundjavës ndaj Besëlidhjes.
Ekipi është i përqendruar dhe me besim të plotë se me ndihmën e tifozerisë do të arrijë të marrë maksimumin, pavarësisht shkallës së vështirësisë që paraqet kundërshtari", shkruajnë dinamovitët në faqen zyrtare të klubit.