Dy ndeshjet e fundit të javës së 26-të në Kategorinë Superiore ajo mes Skënderbeut dhe Kukësit (2-1)dhe Vllaznia-Partizani (1-0), u luajtën pa praninë e tifozëve për shkak të masave të marra për parandalimin e Koronavirus.
Masa u dha vetëm pak orë para startimit të ndeshjeve dhe tifozët që kishin blerë bileta apo kishin bërë plane për të parë ekipin e zemrës së tyre në stadium u kapën të papërgatitur. Megjithatë tifozët e Skënderbeut nuk kanë qenë dakord për ta parë ekipin e tyre nga televizori e janë grumbulluar jashtë stadiumit për të mbështetur skuadrën e tyre.
E veçanta e grumbullimit të tifozëve është Refit Rezhda, tifozi i cili mbështet ekipin e Skënderbeut prej 50 vjetëve dhe asgjë nuk mund ta ndajë nga stadiumi. Si gjithmonë kur ekipi i Skënderbeut luan pa tifozë për shkak dënimesh edhe këtë herë Refit Rezhda kishte marrë me vete shkallën e tij duke i mundësuar vetes dhe tifozëve të tjerë pamjen nga fusha e lojës.
