Apolonia u mposht me rezultatin 1-3 në shtëpi nga Kukësi. Pas ndeshjes, foli trajneri italian i fierakëve, Fabricio Kamarata.
Skuadra ka ndryshuar me të në krye dhe ai është i bindur që kjo është rruga e duhur për objektivin, mbijetesë. Në fjalën e tij për Supersport, Kamarata deklaroi:
“Sot ishte një ndeshje me dy fytyra. Në 25 minutat e para na vunë në vështirësi dhe morën avantazhin. Më pas skuadra filloi të luajë. Kemi një shtyllë dhe një traversë me Krasniqin. Në pjesën e dytë skuadra ka bërë mirë. Morëm edhe barazimin, por edhe mund të kishim shkuar në avantazh. Ndeshja mund të ishte e tyre. Ligji i futbollit të ndëshkon, kur nuk shënon, do të pësosh. Jam i kënaqur me lojtarët sidomos në pjesën e dytë. Kjo është rruga e duhur për mbijetesën.
Merkato? Sot mund të kishim shënuar edhe gola të tjerë. Duhet të harrojmë këtë ndeshje dhe të shohim sfidën e radhës. Dhuratat janë të mirëpritura dhe të presim deri në fundin e muajit”, përfundoi ai.